Beqir Xhepa është një nga protagonistët kryesorë shqiptarë të mbijetuar nga Kampi i Mauthausenit, Austri, pasi ai ka lënë një numër të madh dorëshkrimesh dhe intervista e artefakte rreth përjetimeve të tij në periudhën më të errët të historisë, Holokaustit.
Beqir Xhepa lindi më 26 shtator 1928 nga një familje e vjetër tiranase. Babai i Beqirit, Ramazani, ishte një burrë atdhetar, që ndihmonte Luftën Antifashiste kundër pushtuesve fashistë, fillimisht atyre italianë e më pas gjermanë. Beqiri ishte djali i madh i familjes. Që i vogël ai u bë korieri personal i Qemal Stafës, një nga figurat më të njohura të luftës antifashiste nacional çlirimtare derisa ky u vra më 5 Maj 1942. Qemali strehohej në shtëpinë e Beqirit dhe e dërgonte për porosi të ndryshme, dhe këtë mision Beqiri e vazhdoi dhe pas vdekjes se tij, duke shërbyer si korrier edhe për Enver Hoxhën. Por në moshën 15 vjeçare në operacionin e dimrit 43-44, Beqiri u arrestua në Arbanë teksa dërgonte një letër. Ai mbeti i plagosur lehtë nga luftimet atje. Aty merret nga gjermanët, u dërgua në burgun e Elbasanit, më pas i nisën grup në Zemun ku ndenji pak muaj, më tej në Banicë po në Jugosllavi dhe përfundoi në Mauthausen. Duke qenë minoren, nuk u dërgua të punonte në guroren e tmerrshme të kampit, por bashkë me fëmijë të tjerë jugosllavë iu ngarkuan detyra të ndryshme në spital, në kuzhinë etj. Fati i tij ishte se kjo periudhë ishte e shkurtër, pasi në Maj 1945 kampi çlirohet.
Beqirit i ofrohet nga forcat çlirimtare amerikane të shkonte në Amerikë, ku do i jepej shkollë dhe një jetë e re, por ai kishte mall për prindërit dhe u kthye bashkë me 3 shqiptarë të tjerë. Kthimi ishte nga Austria, në Jugosllavi e më tej në Shqipëri nga veriu, nga Shkodra. Kur Beqiri mbërrin në shtëpi, te dera ishte njoftimi i vdekjes së tij, të cilin ai e shkul dhe nënës që ishte në oborr i ra të fikët, pasi nuk e njohu, e kishin shpallur të vdekur. Kur u kthye nga Mauthauseni, Beqiri mbaroi studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji.
Fillimisht ka punuar si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, më pas pastaj ka qenë kryetari i degës së botimeve për revistën me botën e jashtme. Por filloi të shprehej lirshëm për gjërat që dinte, sidomos kundër diktatorit Hoxha, për të cilin dinte shumë gjera. Dinte rreth vrasjes së Qemal Stafës, dinte rreth vrasjes së 5000 shqiptarëve në Tivar, për të cilën qeveria e Enverit nuk reagoi kurrë, dhe nga ana tjetër akuzonte regjimin Hoxha për kufizm të lirive dhe jetë të varfër të shqiptarëve. Liria e Beqirit kishte të bënte me faktin se ai mendonte se nuk kishte më keq se burgu Mauthausen, dhe se në vendin e tij duhej të ndihej i sigurt. Por ai u arrestua dhe u burgos 4 herë për agjitacion e propagandë nga vitet 1970-1985. Në dy burgosjet e fundit shpëtoi pasi një raport mjeko-ligjor e shtroi në psikiatri. Fjalët e tij: Këtë që ma bëri diktatura, nuk ma bëri as Mauthauseni janë skalitur në shumë intervista që ai ka dhënë. Beqiri vetëm pas rënies së diktaturës mundi të bëhej pjesë e delegacionit që shkonte cdo vit në Mauthausen për të kujtuar viktimat shqiptare atje, në 2005. Ai ka shkruar një libër që nuk e botoi kurrë për rezistencën brenda telit me gjemba në Mauthausen, dhe ka ruajtur disa artefakte nga Mauthauseni, numrin e tij original të burgut, si dhe një shishe hiri nga trupi i djegur i shokut të tij Kozma Nushi. Beqir Xhepa u nda nga jeta në 15 prill 2016.
