Skip to content Skip to footer

Njoftim për mediat

Ekspozita “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen” është pjesë e një projekti dy vjeçar, një ide e organizatës DMO ALBANIA (Destination Management Organisation, me seli në Tiranë) në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, e financuar nga EVZ Stiftung Foundation (Foundation “Remembrance, Responsibility and Future”, me seli ne Berlin. Thelbi i projekteve të financuara nga ky fondacion është sjellja në kujtesë dhe mbajtja gjallë e dëshmive dhe historive të atyre që vuajtën nga Nacional Socializmi – Gjermania naziste e viteve 33-45.
Për viktimat dhe familjarët e tyre, njohja e vuajtjeve është po aq e rëndësishme sa kompesimi financiar apo dënimi i fajtorëve. Ata meritojnë t’u njihen vuajtjet. Për Shqipërinë kjo pjesë e historisë ka qenë e patreguar më parë. DMO Albania në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar aplikuan për këtë projekt në korrik 2020 dhe ideja u shpall fituese. Nisi puna për të dokumentuar historinë e nazizmit dhe arrestimet e shqiptarëve nga viti 43-45. Pse në Mauthausen? Sepse aty ka shkuar kontigjenti më i madh i shqiptarëve të arrestuar nga Gjermania naziste.
Fillimisht, u bë një vizitë e stafit në Mauthausen, Austri, për të parë nga afër kampin, memorjen e mbledhur aty, barakat ekzistuese, vendin ku kanë vuajtur edhe shqiptarët, edhe pse për një periudhë të shkurtër 19 mujore. Puna vazhdoi me një studim historik të thelluar mbi fashizmin në Shqipëri që nga ardhja e italianëve, gjermanëve e deri të çlirimi i Shqipërisë, e më pas ndjekja e historive të të internuarve deri në vitin ‘45 dhe kthimin e tyre në atdhe. Nga studimi u evidentuan disa emra të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre, të cilët u kontaktuan dhe u intervistuan për t’u bërë pjesë e një dokumentari të dedikuar të titulluar “Nga ferri në Ferr”, realizuar në bashkëpunim me skenaristen dhe gazetaren Admirina Peçi.
Ekspozita, e kuruar nga Elton Koritari, ishte hapi i radhës, ku përvec studimit kronologjik, shfaqjes së dokumentarit vjen për publikun shqiptar dhe një seksion edukues, për t’ua përcjellë këto ngjarje brezave të rinj. Jo më kot u zgjodh java e Holokaustit për t’i bërë jehonë edhe historive të Shqiptarëve që vuajtën në kampet e përqëndrimit.
Projekti nuk mbaron këtu. Këtë pjesë të historisë do e dokumentojmë në kurrikulat e shkollës, që të mësohet që në bankat e shkollës. Më pas do të ketë forum me historianë dhe akademikë për ta shtjelluar më shumë këtë temë. Dhe në fund, disa seminare me shkollat e mesme, konkurs esesh me nxënësit për të marrë përshtypjet e tyre në prozë, poezi apo dhe grafikë se si e shohin ata këtë periudhë të vuajtjes së shqiptarëve në kampet e përqëndrimit nazist.
E kaluara nëse nuk njihet mirë, nëse nuk nxjerrim mësime, mund të përsëritet në çdo kohë. Detyra jonë është të edukojmë sa më mirë brezat e rinj, për të mos lejuar më që njeriu të shfaroset dhe deingrohet në atë mënyrë nga një qënie tjetër njerëzore siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore.
EVA KUSHOVA
Drejtuese e projektit
Drejtore e DMO ALBANIA

Konteksti historik i ekspozitës

Lufta e Dytë Botërore është cilësuar si lufta më shkatrrimtare e njerëzimit , si lufta me humbjet më të mëdha njerëzore. Që nga shek. i XVII asnjë luftë në Europë nuk kishte qënë kaq mizore dhe me kaq shumë shkatërrime. Tani paqja ishte rikthyer, por shumë e kuptuan sikundër poeti në fund të Luftës Tridhjetvjeçare, se ajo ishte paqe e ngritur mbi një varrezë. Kjo varrezë njerëzore nuk u shkaktua nga njerëz që u shndërruan në kriminelë brenda ditës, por ishte rezultat i dhunës së një aparati të sofistikuar represiv mbi qëniet njerëzore. Nazizmi gjerman si ideologjia që lindi përmes të ashtëquajturit revolucion racial që promovonte “diferencat nga natyra” – superiorët mbi të tjerët dhe darvinizmin social, shkaktoi humbjet më të mëdha njerëzore në histori. Rreth 75 milion njerëz vdiqën në Luftën e Dytë Botërore, përfshirë rreth 20 milionë personel ushtarak dhe 40 milionë civilë, shumë prej të cilëve vdiqën për shkak të gjenocidit të qëllimshëm, masakrave, bombardimeve masive, sëmundjeve dhe urisë. Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë religjioni , apo në terma modernë, lufta e ideologjive nga të dyja anët. Ajo qe gjithashtu, – dhe këtu faktet flasin vetë- një luftë për jetë a vdekje me shumicën e vendeve pjesëmarrëse. Çmimi i disfatës përballë regjimit nacional-socialist gjerman, siç u vërtetua në Poloni, në pjesën e pushtuar të Bashkimit Sovjetik, dhe me fatin e hebrenjve, zhdukja sistematike e të cilëve iu bë e njohur shkallë-shkallë një bote mosbesuese, – ishte skllavërimi dhe vdekja.
Rezistenca antifashiste në Shqipëri përfshiu shumë njerëz, fate njerëzore e personazhe që do të shenjonin historinë e mëvonshme 50-vjeçare së Shqipërisë, ndër ta dhe njerëzit e internuar në Kampin e Përqëndrimit në Mauthausen, Austri në periudhën nëntor 1943- Maj 1945. Krimet e nazizmit dhe kanë nevojë të evidentohen dhe të vihen në një rrafsh krahasues me vendet e tjera të kontinentit evropian. Të vdekurit dhe të gjallët nga Shqipëria që vuajtën në Kampin e Mauthausen-i në Austri patën nevojë për një drejtësi tranzicionale pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila në shumë raste muk u arrit. Respektimi i viktimave dhe dëshmitë e mbledhura nga pasardhësit e kampit të përqëndrimit të Mauthausen-it janë dëshmi referenciale që dëshmojnë triumfin dhe nganjëllimin e dinjitetit njerëzor mbi banalitetin e së keqes. Kjo ekspozitë i kushtohet kujtimit të tyre.
Dr Dorian Koçi
Historian, Drejtor i Muzeut Kombëtar

Uolltër Lakër, Europa në Kohën Tonë 1945-1992 , Dituria , Tirana: 2003, p. 22
www.remember.al. www.dmoalbania.al 0692078553, info@dmoalbania.al