Skip to content Skip to footer
Në Muzeun Historik Kombëtar u hap ekspozita “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen”, e cila është pjesë e një projekti dy vjeçar, një ide e organizatës DMO ALBANIA (Destination Management Organisation, me seli në Tiranë) në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, e financuar nga EVZ Stiftung Foundation (Foundation “Remembrance, Responsibility and Future”, me seli ne Berlin. Thelbi i projekteve të financuara nga ky fondacion është sjellja në kujtesë dhe mbajtja gjallë e dëshmive dhe historive të atyre që vuajtën nga Nacional Socializmi – Gjermania naziste e viteve 33-45. Në fjalën e saj drejtuesja e projektit DMO Albania, Znj.Eva Kushova, u shpreh se: “Kjo ekspozitë me foto të ndryshme pasqyron viktimat dhe familjarët e tyre, njohjen dhe vuajtjen e cila është po aq e rëndësishme sa kompesimi financiar apo dënimi i fajtorëve. Ata meritojnë t’u njihen vuajtjet. Për Shqipërinë kjo pjesë e historisë ka qenë e patreguar më parë. Ka patur disa intervista me 1-2 të mbijetuar, por nuk janë mbledhur asnjëherë faktet historike në një studim të tillë”.
Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, vuri theksin në rëndësinë e veçantë që paraqet kjo ekspozitë me një tematikë dhe karakter tejet të veçantë e cila ekspozon një anë tjetër jo shumë të njohur të memories sonë. Në fjalën e tij kuratori i ekspozitës Elton Koritari vlerësoi këtë ekspozitë si një hap për një studim më të thelluar kronologjik, ku nëpërmjet shfaqjes së kësaj ekspozite e cila vjen për publikun shqiptar në formën e një seksioni edukues, për t’ua përcjellë këto ngjarje brezave të rinj. Jo më kot u zgjodh java e Holokaustit për t’i bërë jehonë edhe historive të Shqiptarëve që vuajtën në kampet e përqëndrimit. Në fjalën e saj skenaristja dhe gazetarja Znj.Admirina Peçi u shpreh se e kaluara nëse nuk njihet mirë, nëse nuk nxjerrim mësime, mund të përsëritet në çdo kohë. Detyra jonë është të edukojmë sa më mirë brezat e rinj, për të mos lejuar më që njeriu të denigrohet në atë mënyrë nga një qënie tjetër njerëzore siç ndodhi në Luftën e Dytë botërore.

Leave a comment