Skip to content Skip to footer

Hapet në Vlorë ekspozita “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen”

Më 28 Mars u prezantua në Vlorë ekspozita dhe projekti “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen”. Pas Tiranës, ekspozita u zhvendos në qytetin e Vlorës, në qytetin ku pati më shumë arrestime të shqiptarëve nga nazistët në 43-44.  Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm drejtoresha e DMO Albania, znj. Eva Kushova, profesori dhe historian z. Mareglen Kasmi, i cili do të merret me pjesën e dytë të projektit për krijimin e kurrikulave si dhe drejtori i Muzeut të Pavarësisë në Vlorë. z. Skënder Spahiu.  

Në fjalën e saj përshendetëse znj. Kushova ftoi të gjithë vlonjatët ta vizitonin këtë ekspozitë si dhe nxënësit e shkollave për të mësuar mbi këtë anë të errët të fateve të shqiptarëve që u internuan në Kampin e Mathauzenit në Austri. Ndërsa profesori dhe historian, z. Kasmi u shpreh se është me rëndësi që kjo pjesë e historisë të mos mbetet në harresë por të jetë pjesë e kurrikulave shkollore dhe për këtë ai vetë do të kujdeset të përgatisë materialet studimore. Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në 3 Prill, për t’u zhvendosur më pas në Durrës.

Kjo ekspozitë është pjesë e një projekti dy vjeçar, një ide e organizatës DMO ALBANIA (Destination Management Organisation, me seli në Tiranë) në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, e financuar nga EVZ Stiftung Foundation (Foundation “Remembrance, Responsibility and Future”, me seli ne Berlin.

Pse në Mauthausen? Sepse aty është inernuar kontigjenti më i madh i shqiptarëve të arrestuar nga Gjermania naziste. Fillimisht, u bë një vizitë e stafit në Mauthausen, Austri, për të parë nga afër kampin, memorjen e mbledhur aty, barakat ekzistuese, vendin ku kanë vuajtur edhe shqiptarët, edhe pse për një periudhë të shkurtër 19 mujore.

Këtë pjesë të historisë do e dokumentojmë në kurrikulat e shkollës, që të mësohet që në bankat e shkollës. Më pas do të ketë forum me historianë dhe akademikë për ta shtjelluar më shumë këtë temë. Dhe në fund, disa seminare me shkollat e mesme, konkurs esesh me nxënësit për të marrë përshtypjet e tyre në prozë, poezi apo dhe grafikë se si e shohin ata këtë periudhë të vuajtjes së shqiptarëve në kampet e përqëndrimit nazist.